STATUTI I URDHRIT PROFESIONAL TË MJEKUT VETERINAR TË SHQIPËRISË.

( I ndryshuar me Vendim nr 43, datë 26/02/2019)

Statuti i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (më tej Urdhri ose UPMVSH) është i bazuar në Ligjin Nr. 113, datë 11/10/2015 , “Për Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar ”, Ligjin Nr.10 465, datë 29.9.2011:“Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, Neni 113, dhe Ligjin 10171, datë 22.10.2009: “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”.

KREU I PARË

PARIME TE PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky Statut ka për qëllim rregullimin e të gjithë veprimtarive të Urdhrit, organeve dhe strukturave të tij, si një akt i brendshëm normativ për zbatimin e ligjit dhe mbarëvajtjen e veprimtarive në bazë të tij.

Neni 2

Statusi

  1. Urdhri është Ent Publik, profesional, i pavarur, që përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkëta të anëtarëve dhe rregullon veprimtaritë dhe marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut;
  2. Si autoritet i vetrregullimit profesional i i pavarur është i depolitizuar dhe i departizuar, i hapur dhe i barabartë për të gjithë anëtarët, pavarësisht nga përkatësitë e tyre sociale, racore, etnike, fetare apo bindjet politike;
  3. Është kategorikisht e ndaluar që në organet e të gjitha niveleve të Urdhrit të diskutohen apo reflektohen dukuri a probleme të karakterit politik, partiak, racor, etnik e fetar.

Neni 3

Misioni i Urdhrit të Mjekut Veterinar

  1. Misioni i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar, si dhe mbrojtja e shëndetit publik, në kuadër të zbatimit të ligjit të shërbimit veterinar;
  2. Në Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar të Republikës së Shqipërisë antarësohen mjekët veterinarë dhe farmacistët veterinarë, të cilët ushtrojnë veprimatri veterinare, shtetërore ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë, kurse tekniket, dhe teknikët e nderzimit, mbahen në një rregjistër të vaçantë;
  3. Misioni i Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar është ushtrimi i kompetencave të cilat janë:
  4. jep të drejtën për ushtrimin e profesionit për mjekët e farmacistët veterinarë, si dhe për teknikët/ menaxherët/infermierët veterinarë e teknikët e ndërzimit,kur përmbushen kërkesat e parashikuara në këtë ligj, statutit dhe kriteret profesionale, të parashikuara në regulloren e Komisionit të Edukimit dhe Licensimit si:
  1. pjesëmarrja në kurset e edukimit profesional në vijimësi, të organizuara nga urdhri veterinar
  2. fitimi i krediteve të nevojshme për paije/mbajtjen e Certifikates për Ushtrim Profesioni,
  3. pezullon ose heq të drejtën për ushtrimin e profesionit për mjekët e farmacistët veterinarë, si dhe për teknikët/menaxherët/infermierët veterinarë e teknikët e ndërzimit kur nuk përmbushen:
  1. kërkesat e parashikura në germën a) të këtij statute,
  2. kërkesat e parashikura në nenin 4, 32 të këtij statuti,
  3. kërkesat e parashikura në Kodin e Etikës Profesionale,
  1. mban dhe administron regjistrin e anëtarësisë për mjekun dhe farmacistin veterinar,si dhe regjistrin e veçantë të teknikëve veterinarë dhe teknikëve të ndërzimit dhe i përditëson ato,
  2. vepron në mënyrë që të promovojë besimin e publikut ndaj këtij profesioni;
  3. kryen mbikëqyrje profesionale të aktiviteteve veterinare, sipas përcaktimeve të statutit të Urdhrit dhe rregulloreve të miratuara nga Komisionet e Përhershme dhe Këshilli Kombëtar;
  4. mbikëqyr zbatimin e detyrave profesionale, në përputhje me kërkesat e shkencave veterinare dhe të legjislacionit veterinar;
  5. bashkëpunon me institucionet akademike universitare dhe kërkimore-shkencore për hartimin dhe planifikimin e programeve të formimit shkencor, të specializimit pasuniversitar dhe të kurseve të kualifikimit të vazhdueshëm të mjekut veterinar;
  6. planifikon, organizon dhe monitoron trajnime me mjekët veterinarë dhe persona te tjere qe kryejne aktivitet professional te lidhur me mbrojtjen e shendetit dhe mireqenien e kafsheve dhe ne zbatimin e kerkesave higjieno-veterinare ne gjithe zinxhirin ushqimor, teston aftësisë profesionale të tyre, në përputhje me ligjin 10171,datë 22.10.2009,“Për profesionet e rregulluara”, të ndryshuar si dhe i cetertifikon ;
  7. përcakton të gjitha procedurat që lidhen me regjistrimin në Urdhër
  8. përgatit dhe nxjerr publikime, broshura, formularë dhe dokumente të tjera të ngjashme;
  9. bashkëpunon dhe paraqet me insiativen e tij në të gjitha strukturat përkatëse propozime ligjore e nënligjore, lidhur me aktivitete të ndryshme në fushën e veterinarisë;
  10. përgatit programe trajnimi në fushën e veterinarisë, këshillon e merr pjesë në programe trajnimi, sipas përcaktimit të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi;
  11. mbikëqyr zbatimin e kushteve të vendosura nga Kodi i Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar dhe i administron ato pranë urdhrit veterinar,
  12. here pas here informon ministrin përgjegjës dhe komisionin pergjegjes per bujqesine te Kuvendit te Shqiperise për problematikën e urdhrit, kurse brenda 31 marsit të vitit pasardhës, paraqit një raport vjetor mbi ushtrimin e aktivitetit të tij, në përputhje me këtë ligj.

Neni 4

Kriteret për ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar

  1. Për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit çdo mjek veterinar i sapodiplomuar, duhet të plotësojë këto kritere:
  1. të jetë diplomuar në mjekësi veterinare, me një titull apo kualifikim zyrtar, të njësuar me diplomën apo kualifikimin zyrtar, në fushën përkatëse, në Shqipëri;
  2. të ketë kaluar provimin shtetëror, sipas përcaktimeve të ligjit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë;
  3. të jetë shtetas shqiptar ose shtetas i huaj, i cili ka të drejtë ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, për të punuar në Shqipëri;
  4. të jetë i pajisur me çertifikatë për ushtrim profesioni nga urdhri i mjekut veterinar
  5. të njohë dhe të zotohet me shkrim se do të zbatojë kërkesat e legjislacionit në fuqi për shërbimin veterinar, statutin e Urdhrit dhe Kodin e Etikës së Mjekut Veterinar;
  1. Mjeku dhe farmacisti veterinar për të fituar të drejtën për ushtrimin e profesionit, duhet të jenë të diplomuar si mjekë veterinerë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ose në çdo fakultet tjetër i mjekësisë veterinare, i themeluar dhe i njohur sipas ligjeve në fuqi, dhe nga universitete të huaja, diploma e të cilëve u është nënshtruar procedurave të njohjes nga ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit në Republikën e Shqipërisë.
  2. Teknikët veterinarë dhe teknikët e ndërzimit, për të fituar të drejtën për ushtrimin e profesionit, duhet të jenë diplomuar në arsimin parauniversitar në shkollat e mesme profesionale të njohura nga ministra përgjegjëse për arsimin profesional.
  3. Teknikët veterinarë dhe teknikët e ndërzimit nuk mund të jenë anëtarë të këtij Urdhri, por mund të regjistrohen në regjistër të veçantë dhe gjatë ushtrimit të profesionit detyrohen t’i nënshtrohen kërkesave ligjore të Urdhrit, statutit dhe Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar si dhe akteve të tjera ligjore, të cilave u nënshtrohen mjekët dhe farmacistët veterinarë.

Neni 5

Anëtarësia e Urdhrit

  1. Anëtarë të Urdhrit janë Mjekët Veterinarë, që ushtrojnë profesionin në sistemin shërbimit veterinar publik e privat në Republikën e Shqipërisë, të cilët përmbushin kushtet për të qenë anëtarë sipas Ligjit Nr. 113/2015, datë 11/10/2015: “Për Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar”
  2. Anëtarë të Urdhrit bëhen individët që:
  1. janë diplomuar si mjekë veterinarë nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ose çdo fakultet tjetër i mjekësisë veterinare, i themeluar dhe njohur sipas ligjeve në fuqi, ose në universitete të huaja, diploma e të cilave u është nënshtruar procedurave të njohjes nga ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit në Republikën e Shqipërisë;
  2. pranojnë Kodin e Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar dhe që e ushtrojnë këtë profesion në:
  3. Shërbimin Veterinar Shtetëror;
  1. institucione, struktura dhe ente të tjera publike;
  2. shërbimin veterinar privat.
  1. Përjashtohen nga ky detyrim, por jo nga e drejta e anëtarësimit në Urdhër, veterinerët funksionarë të administratës publike, për sa kohë që nuk ushtrojnë veprimtari të mirëfilltë profesionale veterinare;
  2. Shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar në sektorin veterinar të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të anëtarësohen në Urdhër, të njohin dhe të zbatojnë Kodin e Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar, si dhe të gjitha aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë,
  3. Proçesi i Regjistrim-Anëtarësimit, Administrimi i Regjistrit, dhënia e Liçensës për Ushtrim Individual të Profesionit të Mjekut dhe Teknikut Veteriner dhe Teknikut të Ndërzimit kryhet në bazë të kritereve, të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar.
  4. Të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të Urdhrit janë të përcaktuara në këtë statut

Neni 6

Mjekët veterinarë në pension

  1. Mbeten në regjistër si anëtarë të Urdhrit të Mjekut dhe kanë të drejtë të ruajnë anëtarësinë, pa qenë të detyruar të paguajnë kuotizacionin e anëtarësisë së tyre.
  2. Nëse punësohen, në institucione publike apo private, ose vetpunësohen, ata i nënshtrohen të gjithë të drejtave dhe detyrimeve të anëtarit të Urdhrit të Mjekut Veterinar,

Neni 7

Dokumentat për anëtarësim

  1. Mjeku dhe Farmacisti Veteriner, për t’u anëtarësuar në Urdhër, të paraqesë dokumentat e mëposhtme:
  1. Kërkesë për antarësim, ku zotohet të zbatojë Ligjin,Statutin, Kodin e Etikës Profesionale ;
  2. Jetëshkrim,
  3. Foto-kopje të diplomës, që vërteton formimin e tij profesional, e noterizuar.
  4. Për shtetasit e huaj foto-kopje e noterizuar e diplomës, e njesuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, si dhe njohuri bazë të gjuhës shqipe
  5. Foto-kopje e kartes se identitetit
  6. Dy fotografi 3 x 4 cm;
  7. Çertefikata për kualifikime të ndryshme profesionale dhe shkencore, nese ka,
  8. Mandat-arkëtimin që ka derdhur në llogarinë e Urdhrit tarifën e caktuar me Vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit.

Neni 8

Ankimimi për refuzimin e anëtarësimit

  1. Ndaj vendimit që refuzon kërkesën për regjistrim e anëtarësim, kërkuesi ka të drejtë të ankohet pranë Këshillit Kombëtar jo më vonë se 30 ditë nga dita e shpalljes dhe marrjes së njoftimit për vendimin;
  2. Komisioni apo sektori përgjegjës pranë Këshillit Kombëtar e shqyrton atë jo me vonë se 30 ditë nga paraqitja e ankesës dhe merr vendimin përkatës të cilin ia njofton ankuesit. Ky vendim është i formës së prerë.
  3. Kërkuesi ka të drejtë t’i drejtohet përsëri Këshillit Kombëtar me kërkesë për anëtarësim, vetëm nëse ka plotësuar kushtet penguese për pranimin e anëtarësimit.

Neni 9

Ndalime

  1. Për ushtrimin i profesionit të mjekut dhe farmacistit veterinar, si dhe Teknikut Veteriner dhe Teknikut të Ndërzimit në Republikën e Shqipërisë duhet:
  1. përkatësia si anëtar i Urdhrit,
  2. pajisja me Liçensë për Ushtrim Profesioni , lëshuar nga Urdhri;
  3. Punëdhënësve u ndalohet kategorikisht punësimi i individëve të paanëtarësuar apo të paregjistruar në Urdhër, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, për të ushtruar profesionin e veterinerit në:
  1. Shërbimin Veterinar Shtetëror;
  2. Institucione, struktura dhe ente të tjera publike;
  3. Shërbimin veterinar privat;

Neni 10

Ndërprerja e anëtarësimit

  1. Anëtarësia e Urdhrit ndërpritet në ratet kur:
  1. anëtari vdes;
  2. i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit me vendim disiplinor të formës së prerë nga organet e Urdhrit apo të gjykatës;
  3. është duke vuajtur dënimin penal me heqje lirie;
  4. nuk shlyen kuotizacionet,në përputhje me afatet e vendosura nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit, deri me 31 mars pa arsye të justifikueshme.
  5. Vendimi për shkaqet e ndërprerjes së anëtarësisë i komunikohet zyrtarisht personit dhe institucionit ku shërben i ndëshkuari.

Neni 11

Marrëdhëniet ndërinstitucionale

  1. Urdhri i Mjekut Veterinar, gjatë ushtrimit të misionit të tij, bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për veterinarinë, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, me institucione arsimore, shkencore, organizma, forume, ente të tjera publike ose jopublike, të vendit dhe të huaja;
  2. Për përmbushjen e kompetencave dhe funksioneve të tij, Urdhri ka të drejtë të lidhë kontrata dhe marrëveshje me subjekte të tjera, entite publike apo private, si dhe me organizata homologe ndërkombëtare, sipas rastit, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm në Shqipëri.
  3. Në rast se shfaqen kontradikta gjatë bashkëpunimit me institucionet e lartpërmendura në pikat 1 dhe 2, Urdhri i Mjekut Veterinare, mund të informojë dhe t’i drejtohet për zgjidhjen e tyre, Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit përkatës për Veterinarinë në Republikën e Shqipërisë;

Neni 12

Tarifat për aktet dhe dokumentat që lëshohen nga Urdhri

Për kryerje e veprimeve për Regjistrim-Anëtarësim, pajisjen me Liçensë për Ushtrim Individual të Profesionit, Kartë Anëtarësimi, si dhe akte dhe dokumenta të tjera, të lëshuara nga Urdhri, paguhen tarifa të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit.

Neni 13

Të drejtat e anëtarëve të Urdhrit

Të gjithë individët, e regjistruar në Urdhër kanë të drejtë:

  1. të ushtrojnë profesionin sipas profilit dhe kualifikimit përkatës;
  2. të apelojnë në organet e Urdhrit kur u shkelen të drejtat dhe mundësitë për ushtrim të lirë dhe të pavarur të profesionit nga cilido qoftë;
  3. të zgjedhin e të zgjidhen në organet e Urdhrit;
  4. të marrin pjesë në shqyrtimin nga organizmat e Urdhrit për probleme që kanë të bëjnë me personin e tyre;
  5. të apelojnë në forumet e Urdhrit vendimet e këtij organi kur ata i gjykojnë të padrejta;
  6. të kërkojnë krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin normal të profesionit, për formimin dhe zhvillimin e tyre professionalë, si dhe për përparimin e karrierës së tyre.

Neni 14

Detyrat e anëtarëve të Urdhrit

Të gjithë individët, të regjistruar dhe të antarësuar në Urdhër kanë këto detyra

  1. të njohin dhe zbatojnë Kodin e Etikës Profesifesionale , Ligjin dhe Statutin e UPMVSH-së, si dhe ligjet dhe aktet e tjera nënligjore mbi Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë;
  2. të ushtrojnë profesionin dhe të kenë sjellje të mirë profesionale në përputhje me kërkesat dhe standardet e Kodit të Etikës Profesinale , si dhe në respekt të ligjeve dhe akteve të tjera administrative në fushën e Shërbimit Veterinar;
  3. të punojnë pa ndërprerje për rritjen e standardeve dhe të cilësisë së punës në institucionin, apo zonën ku punojnë, konformë legjislacionit në fuqi
  4. të marrin pjesë rregullisht në programet e edukimit në vijimësi e vet-edukimt dhe të tregojne interes per marrjen e krediteve, te përcaktuara në program,
  5. të jenë të informuar me të rejat e shkencës veterinare dhe të rrisin aftësitë e tyre në ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar;
  6. të ndihmojnë në arritjen e standardeve dhe kërkesave të Kodit të Etikës Profesionale, të shëndetit dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin publik veterinar, duke informuar Këshillin për qëndrime dhe sjellje, të cilat nuk janë në përputhje me Kodin e Etikës Profesionale.
  7. të shlyejnë në kohë kuotizacionin e anëtarësisë dhe çdo detyrim tjetër në marrëdhënie me Urdhrin, në përputhje me kërkesat e këtij Statuti dhe me Rregulloret e tjera të tij;
  8. të jenë të pajisur me Çertifikatë për Ushtrimin e Profesionit të Mjekut Veterinar, dhe të përmbushin detyrimet për marrjen e krediteve të nevojshme për vijimesine e mbajtjes se licensës.

KREU I DYTË

ORGANIZIMI DHE DREJTIMI

Neni 15

Organet e Urdhrit

  1. Urdhri është organizimi në nivel kombëtar i mjekëve veterinarë dhe farmacistëve veterinarë, që përfaqëson interesat e përbashkët të veterinerëve dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre, në funksion të interest publik.
  2. Organet e Urdhrit janë:
  1. Asambleja e Përgjithshme;
  2. Këshilli Kombëtar;
  3. Komisioni Disiplinor;
  4. Komisione të tjera, sipas këtij ligji.

Neni 16

Asambleja

  1. Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga anëtarët e Urdhrit, me përfaqësim 1 me 10, mbi bazën e ndarjes rajonale të vendit,
  2. Anetaret e Asamblesë së Përgjithshme zgjidhen nga mbledhja e Asamblesë te zones zgjedhjore, sipas kritereve të percaktuara në nenin 18 të Statutit dhe me manadat të njejtë me atë të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Nuk u Miratua
  3. Asambleja mblidhet çdo vit, brenda datës 31 mars, sipas statutit, ku dorëzohet një raport i aktiviteteve të saj, të kryera përgjatë vitit, së bashku me një raport financiar, si dhe paraqet buxhetin për vitin pasardhës;

Neni 17

Këshilli

  1. Këshilli Kombëtar është organi më i lartë drejtues dhe vendim-marrës i Urdhrit. Organizimi dhe veprimtaria e tij kryhet në bazë të Rregullores për Veprimtarinë e Këshillit Kombëtar, të cilën e miraton Këshilli Kombëtar;
  2. Këshilli Kombëtar përbëhet nga 21 anëtarë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme dhe nga 4 anëtarë të tjerë si më poshtë:
  1. drejtuesi i shërbimit veterinar shtetëror (CVO);
  2. një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë;
  3. një përfaqësues i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor;
  4. një përfaqësues/drejtues i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU);
  1. Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar bëhen çdo tre vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë për një mandat të dytë;
  2. Anëtarët e Këshillit Kombëtar zgjidhen me votim të fshehtë direkt në nivel kombëtar ose zonal nga anëtarësia e Urdhrit të Mjekut Profesional të Mjekut Veterinar;
  3. Në rast se një apo më shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar largohen për çfarëdo arsyeje, mandati i kalon kandidatit vijues të listës me më shumë vota të zgjedhjeve rajonale. Kur ka barazim në vota prioritet i jepeet kandidateve femra, kurse për kandidatët mashkuj zgjedhja bëhet me short.
  4. Këshilli Kombëtar mblidhet jo më pak se 3 (tre) herë në vit.Mbledhja e Këshillit thirret nga:
  1. Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar;
  2. Me kërkesën e 9 anëtarëve të Këshillit Kombëtar;
  1. Vendimet e Këshillit Kombëtar janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe respektuar nga të gjitha strukturat dhe organet e Urdhrit;
  2. President dhe Zv/ President zgjidhet një prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar me mandat 3 vjeçar, me të drejtën e rizgjedhjes vetëm një herë. Funksioni i tyre është i papajtueshëm me funksione të tjera drejtuese, ekzekutuese apo menaxhuese të administratës shtetërore;
  3. Proçedura e zgjedhjes dhe shkarkimit të Presidentit, Zv/Presidentit dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar parashikohet në statutin e Urdhrit;

Neni 18

Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar të Urdhrit

Kandidaturat për anëtarë të Këshillit Kombëtar zgjidhen ndër mjekët veterinar më të dalluar, të përkushtuar, me aftësi dhe autoritet profesional dhe duhet të plotësojnë këto kritere:

  1. të jenë shtetas shqiptar;
  2. të kenë mbushur moshën 30 vjeç;
  3. të kenë mbi 3 (tre) vjet të regjistruar në Urdhrin e Mjekut Veterinar;
  4. të ketë integritet etiko-moral dhe reputacion profesional;
  5. të kenë përvojë dhe të dhëna të besueshme për aftësi komunikuese, dhe të kenë shfaqur korrektësi në zbatimin e normave dhe rregullave në jetën shoqërore, në marredhënje me publikun, kolegët, dhe me drejtuesit;
  6. të mos jenë ndëshkuar gjatë 5 (pesë) viteve të fundit me masa disiplinore nga Urdhri.
  7. të mos kenë funksione drejtuese në administratën shteterore dhe të mos bëjnë pjesë në forume drejtuese partiake të çdo niveli qofshin, nga të cilat detyrimisht duhet të jenë dorëhequr në momentin e kandidimit;
  8. mundësisht të kenë kontribute dhe aktivistet në strukturat dhe veprimtaritë e Urdhrit.

Neni 19

Ndërprerja e parakohshme e mandatit të anëtarit të Këshillit

Anëtarit të Këshillit Kombëtar i ndërpritet para kohe mandati kur:

  1. kërkon vetë dorëheqje;
  2. dënohet me vendim të formës së prerë nga organet e Urdhrit apo nga gjyqësori;
  3. manifeston sjellje jo të mire, në përputhje me Kodin e Etikës Profesionale;
  4. mungon më shumë se 3 (tre) herë në mbledhjet e Këshillit pa shkaqe të justifikueshme, të paraqitura me shkrim, para datës së takimit;
  5. paaftësohet për arsye shëndetësore;
  6. humbet zotësinë e plotë për të vepruar;
  7. vdes
  8. emërohet apo zgjidhet në detyra drejtuese shtetërore apo partiake që bien ndesh me kriteret e parashikuara në këtë Statut për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Neni 20

Kompetencat e Këshillit

  1. Këshilli Kombëtar, në përputhje me misionin e Urdhrit dhe përcaktimet në këtë ligj, ushtron këto kompetenca:
  1. rishikon dhe miraton ndryshimet e Statutit i Urdhrit dhe Kodit të Etikës Profesionale, pasi ka kryer konsultime me strukturat e tjera organizative të Urdhrit,
  2. përcakton periudhën dhe miraton datën e zgjedhjeve të përgjithshme të urdhrit veterinar,
  3. harton dhe miraton rregulloren për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme, procedurat e zgjedhjes te drejtueseve te urdherit,
  4. miraton strukturat per organizimin, monitorimin dhe ankimimin e tyre,
  5. përcakton dhe miraton strukturën organizative të stafit të urdhrit ;
  6. mbikëqyr dhe koordinon të gjitha veprimtaritë dhe aktivitetet e organeve apo strukturave që varen apo janë pjesë përbërëse e Urdhrit;
  7. jep, pezullon ose heq të drejtën për ushtrimin e profesionit për mjekët e farmacistët veterinarë, si dhe për teknikët veterinarë e teknikët e ndërzimit, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të statutit të Urdhrit;
  8. harton dhe miraton rregulloret përkatëse për komisionet e tjera.
  9. miraton buxhetin dhe administrimin e tij, si dhe përcakton fondet në administrim të Këshillit;
  10. përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkëta të anëtarëve dhe teknikëve të Urdhrit, në funksion të ushtrimit të lirë dhe autonom të profesionit;
  11. miraton strategjitë e zhvillimit të Urdhrit dhe me anë të strukturave të veta organizon dhe mbikqyr zbatimin e tyre;
  12. sensibilizon e informon opinionin publik për misionin dhe funksionet e Urdhrit, si dhe deklaron qëndrimet e tij për probleme dhe situata të veçanta sa i takon misionit e atributeve të tij;
  13. bashkëpunon me faktorë dhe aktorë të tjerë të sistemit për përmirësimin e standardeve të edukimit e formimit profesional të mjekëve veterinarë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit veterinar;
  14. administron pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Urdhrit;
  15. miraton kuotizacionin e anëtarësisë dhe tarifat për të gjitha aktet dhe dokumentat që lëshohen nga Urdhëri, përfshirë edhe ato për zhvillimin e vazhdueshëm arsimor dhe profesional;
  16. miraton lehtësira financiare në kuata e tarifa për mjekët dhe teknikët veterinar si dhe teknikët e ndërzimit, që gëzojnë statusin e invalidit ose me shkaqe të tjera shëndetësore,te provuara ose/dhe të ndodhura gjatë ushtrimit te profesionit,
  17. zgjedh dhe shkarkon Presidentin dhe Zv/Presidentin e urdhërit;
  18. ngre grupe pune ad-hoc për kryerjen e kontrolleve për standardet e ushtrimit të profesionit dhe veprimtari të tjera të Urdhrit;
  19. miraton veprimtaritë kombëtare të Urdhrit;
  20. mban marrëdhënie me organizma homologe dhe forume ndërkombëtare dhe ratifikon protokolle bashkëpunimi me ta;
  21. zgjedh anëtarët e Komisionit Disiplinor të Urdhrit;
  22. Anëtarët e Këshillit Kombëtar në zonat apo rajonet e tyre të zgjedhjeve, për zbatimin e vendimeve të Këshillit mund të angazhojnë anëtarë të tjerë të urdhrit;

Neni 21

Komisionet

  1. Komisionet e perhershme dhe te perkoheshme, te percaktuara ne ligjin e UMV jane:
  1. Komisioni i hartimit, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Regjistrave të Urdhrit;
  2. Komisioni i zhvillimit të standardeve, arsimimin dhe kualifikimin;
  3. Komisioni i marrëdhënieve me jashtë dhe me publikun;
  4. Komisioni i planifikimit dhe kontrollit financiar dhe ekonomik;
  5. Komisioni i botimit të periodikëve apo publikime të ngjashme;
  1. Për qëllime pune Këshilli Kombëtar mund të ngre dhe komisione të tjara, të përkohshme ose të përhershme;
  2. Aktiviteti i Komisionit bazohet në rregulloren përkatëse, hartuar prej tij dhe i miratuar nga Këshilli Kombëtar.

Neni 22

Përbërja e komisionit

  1. Komisionet e përkohshme apo të të përhershme të urdhrit kanë përbërje nga 7 antarë dhe drejtohen nga Kryetari i tij , i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve të Komisionit;
  2. Në komision mund të zgjidhet një anëtar nga radhët e Këshillit Kombëtar, kurse anëtarët e tjerë mund të zgjidhen nga rradhët e anëtarësisë së urdhërit, të cilat kanë kualifikim dhe aftësi të spikatuara profesionale dhe shkencore;
  3. Mandati i Komisionit është i njejtë me atë të organeve drejtuese të Urdhrit;
  4. Komisioni pas ngritjes, harton rregulloren e punës dhe e miraton atë në Këshillin Kombëtar;
  5. Komisioni është përgjegjës për fushën e veprimtarisë së tij dhe raporton me shkrim, e cila do të paraqitet para Këshillit Kombëtar si veprimatri vjetore e punës së kryer;

Neni 23

Zgjedhja e Presidentit dhe Zv/Presidentit të Urdhrit

  1. Presidenti dhe Zv/Presidenti i Urdhrit zgjidhen nga radhët e Këshillit Kombëtar me votim të fshehtë,
  2. Presidenti dhe Zv/Presidenti zgjidhen me shumicën e numrit të përgjithshëm të votave të antarëve të Këshillit Kombëtar.
  3. Referuar nenit 17, pika 8, të Urdhrit, mandati i Presidentit dhe e Zv / President është 3 vjet, dhe mund të rinovohet vetëm një herë;
  4. Kandidatura për President dhe Zv/President të Urdhrit, duhet të përmbushë këto kritere:
  1. të ketë jo më pak se 10 vjet eksperiencë në profesion;
  2. të ketë përvojë dhe të dhëna të besueshme për aftësi komunikimi, organizimi e drejtimit;
  3. të mos ketë qenë subjekt i marrjes së masave disiplinore në 5 vitet e fundit;
  4. të ketë integritet dhe reputacion etiko-moral dhe profesional;
  5. Shkarkimi i Prezidentit dhe Zv/presidentit bëhet me 2/3 e votive të Këshillit Kombëtar,

Neni 24

Ndërprerja para kohe e mandatit

Presidenti dhe Zv/Presidenti i Urdhrit e përfundon mandatin para kohe vetëm në rastet kur:

  1. merret vendim nga Këshillit Kombëtar, me votim, e jo më pak se dy të tretave të anëtarëve;
  2. jep dorëheqjen;
  3. dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
  4. humbet zotësinë e plotë për të vepruar;
  5. bëhet i paaftë, për arsye shëndetësore, për të kryer detyrat e tij, vërtetuar nga komisioni kompetent mjekësor.
  6. vdes

Neni 25

Detyrat e Presidentit

  1. Presidenti i Këshillit Kombëtar ka këto kompetenca dhe detyra:
  1. drejton dhe mbikëqyr të gjithë veprimtaritë e Urdhrit;
  2. nxjerr urdhëresa apo udhëzime për zbatimin e vendimeve të Këshillit Kombëtar;
  3. thërret mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit Kombëtar;
  4. thërret ose miraton me shkrim mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme;
  5. në kuadër të marrëdhënieve me institucionet e administratës shtetërore, si dhe organizma të tjera brenda e jashtë vendit, përfaqëson Këshillin Kombëtar dhe shprehet në emër të tij.
  6. nenshkruan vendime dhe dokumenta te tjera, te miratuara nga Këshilli Kombëtar,
  7. në raste të veçanta, autorizon të drejtën e nënshkrimit të dokumentave Zv.Presidentit të Urdhrit;
  8. vetë ose me propozim të Këshillit Kombëtar emëron ose shkarkon punonjësit e aparatit të cilët nuk janë të zgjedhur;
  9. merr vendime në emër të tij, të cilat i ratifikon në mbledhjen e rradhës të Këshillit Kombëtar;
  10. thërret mjekë veterinerë, kur ka ndodhi në shërbimet e tyre dhe sipas rastit i këshillon, paralajmëron ose inicion ndaj tyre nisjen e proçesit disiplinor në Komisionin e Disiplinës të Urdhrit të Mjekut Veterinar;
  11. harton detyrat specifike të stafit, sipas strukturës së miratuar nga këshilli kombëtar, në përputhje me ligjin dhe statutin e urdhrit veterinar;
  12. ndërmerr nisma apo propozimi në organet ligjvënëse për projektligje apo dokumente të rëndësishme në fushën e shërbimit veterinar;
  13. propozon në strukturat e Urdhërit kandidatura për t’u zgjedhur apo shkarkuar në organet e Urdhrit.
  14. i propozon Këshillit Kombëtar për dekorime, vlerësime, shpërblime si dhe shtesë page për drejtuesit dhe për stafin e Urdhrit;
  15. organizon takime me drejtues institucionesh, mbanë marrëdhënie me organizma e forume ndërkombëtare, ratifikon në Këshillin Kombëtar marrëveshje e protokolle bashkëpunimi me to;
  16. Përpara çdo vendimmarrje, Presidenti ushtron frymën e kolegjalitetit me Zv/Presidentin dhe anëtarët e tjerë të Këshillit, nëpërmjet konsultimeve, marrjes së mendimeve dhe sugjerimeve;

Neni 26

Detyrat e Zv/Presidentit

  1. Detyrat dhe funksionet e Zv/Presidentit janë këto:
  1. mbikëqyr dhe ndjek zbatimin e vendimeve të Këshillit, Urdhëresat e Udhëzimet e Presidentit të Këshillit Kombëtar;
  2. mban kontakte dhe monitoron në vazhdimësi veprimtarinë Urdhërit në terren;
  3. monitoron veprimtarinë administrative të Aparatit Ekzekutiv të Urdhrit;
  4. ndjek në mënyrë të vazhdueshme mbarëvajtjen dhe zbatimin e Kodit të Etikës, edukimit dhe formimit profesional, standardet e ushtrimit të profesionit të mjekut veteriner, etj;
  5. monitoron proçesin e regjistrim-liçensimit dhe mirëadministrimit të Regj Themeltar Kombëtar;
  6. informon Këshillin dhe mban të azhornuar Presidentin për të gjithë detyrat që mbulon;
  7. kryen detyrat e Presidentit në mungesë të tij, si dhe mund të drejtojë komisione të caktuar në strukturat e Urdhrit;

Neni 27

Aparati i Urdhrit

Eshtë përgjegjës për zyren e Urdhrit Veterinar që ajo të punojë në mënyrë efikase e në vijimësi në përmbushje te veprimtarive tekniko-administrative e ekonomike-financiare të tij dhe ka këto detyra:

  1. Siguron dhe kontrollon zbatimin dhe respektimin e Ligjeve, Statutit e Rregulloreve të Urdhrit;
  2. Siguron dhe kontrollon zbatimin e Vendimeve të Asamblesë dhe të Këshillit Kombëtar,
  3. Parashikon dhe propozon kuotat e anëtarësisë, honoraret, tarifat e regjistrimit, anëtarësimit, Liçensimit, si dhe tarifa të tjera shërbimesh, të cilat i miraton në Këshillin Kombëtar;
  4. Organizon dhe mbikëqyr proçesin e regjistrimit, anëtarësimit dhe administrimit të Regjistrit të Mjekut Veterinar;
  5. Mbikëqyr veprimtarinë e pajisjes me Çertificatë për Ushtrim Profesioni të Mjekut e N/Mjekut Veterinar, raporton per gjendjen e tyre ;
  6. Administron Regjistrin e Krediteve të marra në trajnime, si dhe raporton për gjendjen e tyre
  7. Merr pjesë në hartimin e kritereve të specifikuara për komisione apo grupe pune me karakter të përhershëm, të cilat i miraton me Vendim të Këshillit Kombëtar;
  8. Merr pjesë në organizimin e veprimtarive shkencore, trajnime e seminare kualifikuese për drejtuesit e strukturave të Urdhrit, Komisionet Disiplinore e të tjera dhe i arshivon ato;
  9. Përdor sistemet e kompjuterizuara të zyrës për mbajtjen e të dhënave me baza ditore, dhe për të siguruar ruajtjen e rregullt dhe efektive të gjitha të dhënave elektronike.
  10. Komunikon me e-mail dhe/ose SMS me të gjithë anëtarët e regjistruar të Urdhrit Veterinar për të gjitha problemet që lidhen me aktivitetet e Këshillit
  11. Menaxhon burimet financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera, dhe në fund të çdo viti ben bilancin dhe i paraqit ato në Këshillin Kombëtar;
  12. Përgatit dhe paraqet të gjitha faturat për shërbimet e ofruara, psh, inspektimin e objekteve, kurse trajnimi, etj.,
  13. Mban proces-verbal për dokumentacionin, vulën, pajisje të tjera dhe inventarin e Urdhrit .
  14. Mban proces-verbal për dorëzimin e punës të një punonjësi që largohet nga puna,
  15. Rakordon shpenzimeve e zyrës dhe menaxhon buxhetin në të holla,
  16. Ndjek furnizimet e zyrës me shtrypshkrime dhe pajisje,
  17. Mirëmban zyrat, dhe informon për riparimet e nevojshme të tyre,
  18. Përgjigjet për komunikimin telefonik dhe përcjell informacionin e tij pa vonesë,
  19. Siguron marrëveshje të përshtatshme për të mbuluar mungesat e stafit dhe në ditë festish,
  20. Zhvillon dhe mirëmbanë një sistemi efikas për të gjithë korrespondencën, raportet e Këshillit, dhe dokumentacionin e zyrës në dy forma: elektronike dhe print,
  21. Menaxhon faqen e portalit dhe facebook të Këshillit, siç udhëzohet nga Zv/Presidenti.
  22. Ndjek punën për organizimin e të gjitha mbledhjeve të Këshillit Kombëtar Veterinar, siç është vendosur nga Këshilli,
  23. Mban dhe arshivon të gjitha raportet dhe procesverbalet e mbledhjeve të këshillit në përputhje me kriteret e performances,
  24. Zhvillon, zbaton. menaxhon sisteme të reja administrative për të lehtësuar ngarkesën e ekipit,
  25. Ofron shërbime në anglisht në takime me të huaj, korespondencë dhe materiale të ndryshme
  26. Koordinon aktivitet dhe veprimtarinë e Këshillit Kombëtar për organimin e takimeve, konsultimeve, mbledhjeve në qendër dhe në nivel qarku,
  27. Ndjek në nivel qarku ecurinë e zbatimit të vendimeve të Këshillit kombëtar,
  28. Ndjek në qark detyrat e dhëna nga Presidenti dhe zv/presidenti i urdhërit,
  29. Koordinon punën në terren, që burojnë nga zbatimi i ligjit të urdhërit veterinar, lidhur me regjistrimet, trajnimet, zgjidhjen e ankimimeve, zbatimin e kodit të etikës profesinale si dhe çeshtje të tjera që mund të dalin gjatë proçesit të punës,
  30. Mbedh, sjell dhe koordinon me administratën së urdhrit problemet e dala nga terreni dhe ndjek zgjidhjen e tyre,
  31. Raporton me shkrim mbi çeshtje apo probleme që paraqisin interes dhe kërkojnë trajtime të mëtejshme ligjore, juridike apo ekonomike,
  32. Informon dhe përciell në terren mbi veprimet e ndërmarra për zgjidhjen e problemeve të dala nga takimet në qark,
  33. Koordinon punën për gjurmimin e aseteve të Urdhërit, tarifat dhe kuatat për pagesë,
  34. Kryen çdo detyrë tjetër të Këshillit Kombëtar Veterinar, siç kërkohet nga Zv/Presidenti;

Neni 28

Mbledhjet e Këshillit Kombëtar

  1. Presidenti dhe në mungesë të tij Zv/Presidenti vendos për datën, kohën dhe rendin e ditës për organizimin e mbledhjes të Këshillit Kombëtar;
  2. Mbledhja e Këshillit njoftohet me shkrim 7 ditë përpara, duke bërë të ditur edhe rendin e ditës;
  3. Për të siguruar vlefshmërinë e takimit duhet të jenë të pranishëm me shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit, të cilët paraprakisht miratojnë rendin e ditës dhe zhvillimin e mbledhjes.
  4. Kur në hapjen e mbledhjes kjo shumicë nuk arrihet, atëherë Presidenti apo Zv/Presidenti, që drejton mbledhjen, vendos thirrjen e mbledhjes një ditë tjetër, duke njoftuar me shkrim;

Neni 29

Vendim-marrja

  1. Këshilli Kombëtar merr vendim vetëm për çështje të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes, përveç rasteve kur shumica e anëtarëve të pranishëm, janë dakort për shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve edhe per çështje që nuk janë në rendin e ditës;
  2. Vendimet merren me votime të hapura, përveç rasteve kur me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm vendos për kryerjen e votimit të fshehtë ;
  3. Vendimet merren me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Bëhet përjashtim nga ky rregull kur kërkohet shumicë e cilësuar(50%+1).
  4. Kur ka barazim të votave, kryhet një votim i dytë. Nëse edhe në votimin e dytë përsëritet e njëjta situatë, vota e Presidentit është vendimtare.

Neni 30

Proçes-Verbali i mbledhjes

  1. Në çdo mbledhje mbahet proçesverbali saj, ku shkruhet data, vendi i mbledhjes, pjesëmarrësit, çeshtjet që u diskutuan, vendimet që u morën, si dhe forma e rezultati i votimit;
  2. Presidenti i Këshillit Kombëtar cakton një person të përhershëm për mbajtjen e proçesverbalit;
  3. Në mbarim të mbledhjes,proçesverbali i përgatitur gjatë takimit nëshkruhet nga mbajtësi i Proçes-verbalit, dhe nga Presidenti i Këshillit ose nga Zv/Presidenti, që ka drejtuar mbledhjen.

Neni 31

Komisioni Disiplinor

  1. Këshilli Kombëtar ngre një Komision Disiplinor për verifikimin dhe shqyrtimin e ankesave, në lidhje me shkeljet e Kodit të Etikës dhe shkeljet e tjera të kryera nga anëtarët e urdhrit;
  2. Komisioni Disiplinor është organizëm i gjykimit disiplinor profesional i pavarur. Ai verifikon dhe shqyrton ankesat dhe kërkesat që vijnë nga çdo person apo institucion për Urdhrin për shkeljet e Kodit të Etikës, apo keq-ushtrim të profesionit të mjekut veteriner;
  3. Komisioni Disiplinor përbëhet nga 7 anëtarë , të cilët miratohen me vendim këshilli;
  4. Anëtarë të Komisionit Displinor mund të zgjidhen nga rradhët e Këshillit Kombëtar si dhe anëtarë të tjerë të Urdhrit, në raporte të pranueshme midis palëve.
  5. Për të siguruar zhvillimin e një gjykimi profesional të pavarur, të drejtë, të ndershëm, të paanshëm, përzgjedhja e antarëve të Komisionit të Disiplinës bëhet vetëm mbi bazën e kërkesave të larta cilësore e kritereve individuale, të përshkruara në Rregulloren për komisionet disiplinore;
  6. Komisioni disiplinor zgjedh Kryetarin dhe Zv/Kryetarin e tij, si dhe harton rregulloren e Gjykimit Profesional, të cilën e miraton në Këshillin Kombëtar;
  7. Kriteret e përzgjedhjes, miratimit të anëtarëve, organizimi i proçedurave të gjykimit bazohen në rregulloren e Gjykimit Disiplinor Profesional, e cila miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar
  8. Për çdo rast gjykimi disiplinor, ngrihet trupa e gjykimit;

Neni 32

Masat disiplinore

  1. Komisioni disiplinor heton dhe gjykon në bazë të fakteve e provave të administruara dhe seancës dëgjimore ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore.
  2. Kur vërtetohet se ka shkelje të Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar, jepen këto masa, që bazohen në rregulloren që parashkruan kushtet, proçedurat e vendosjes së gjobave dhe masën konkrete për çdo shkelje, të miratuar nga Këshilli;
  1. vërejtje me shkrim, jepet kur gjate ushtrimit te profesionit verehen gabime te lehta, pa pasoja per shendetin e kafshes ose / dhe shendetin publik veterinar dhe jo te perseritura;
  2. vërejtje me paralajmërim, jepet kur gjate ushtrimit te profesionit verehen gabime te lehta, pa pasoja per shendetin e kafshes ose/ dhe shendetin publik veterinar dhe te perseritura;
  3. gjobë nga 5.000-50.000 lekë, jepet kur gjate ushtrimit te profesionit verehen shkelja me pasoja te demshme dhe te provuara per shendetin e kafsheve ose/dhe shendetin publik veterinar,
  4. heqje të së drejtës për t’u rizgjedhur në organet e Urdhrit, për një periudhë deri në 3 vjet;
  5. propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione shëndetësore publike e private.
  6. përjashtim i përkohshëm nga Urdhri i Mjekëve për një periudhë deri ne 3 (tre) vjet.
  1. Masat e parashikuar në germën d), e) dhe f), jepen kur veprimtaria e mjekut veteriner bien ndesh me ligjin veterinar, me ligjin e urdhrit, me kodin dhe me pasoja te demashme dhe te provuara per shendetin e kafsheve ose/dhe per shendetin publik veterinar,
  2. Masa disiplinore e parashikuar në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij neni, sjell çregjistrimin nga regjistri i anëtarësisë;
  3. Kur vërtetohet se tekniku veterinar dhe/ose tekniku i ndërzimit ka kryer shkelje të Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar,Komisioni Disiplinor jep masa,sipas përcaktimeve, pika 2 dhe 3:
  1. vërejtje me shkrim;
  2. vërejtje me paralajmërim;
  3. gjobë nga 5.000 – 50.000 lekë;
  4. heqje të së drejtës të ushtrimit të profesionit për një periudhë deri në 3 vjet;
  1. Komisioni ka të drejte t’u caktojë kundërvajtësve, si masë plotësuese, kryerjen e një rikualifikimi në institucionet publike, sipas tarifave të vendosuara.
  2. Masat disiplinore konsiderohet e shlyer, kur me dokumentacion provohet se janë përmbushur gjitha detyrimet ligjore dhe financiare, të parashikuara sipas këtij statuti;
  3. Komisioni Disiplinor kryen procedurat e përcaktuara në këtë statut, mbështetur në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, si dhe në akte të tjera nënligjore;
  4. Gjobat e vjela sipas shkronjës“c”, të pikes 1, dhe shkronjës“c”, të pikës 3, të këtij neni, derdhen njëqind për qind(100%) në Buxhetin e Shtetit;

Neni 33

Ankimimi për vendimet disiplinore

  1. Kur ndaj një personi është marrë një masë disiplinore, ai ka të drejtën e ankimit në rrugë administrative te Komisioni Disiplinor dhe pastaj në rrugë gjyqësore, sipas legj. në fuqi.
  2. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e proçeseve disiplinore përballohen nga buxheti i Urdhrit.

Neni 34

Organizimi i zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar

  1. Zgjedhjet për Këshillin Kombëtare organizohen sipas mandadatit të përcaktuar në ligj dhe mbi bazën e ndarjes rajonal,
  2. Jo më vonë se 60 ditë para përfundimit të mandatit, Presidenti thërret mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe informon anëtarësinë për organizimin e zgjedhjeve të Urdhrit;
  3. Organizimi, monitorimi, vlerësimi dhe çertifikimit të tyre percaktohen me rregullore të veçantë të miratuar nga Këshilli Kombëtar,
  4. Këshilli e ushtron funksionin e tij deri ditën kur krijohet i Këshilli i ri Kombëtar;
  5. Presidenti e Zv/Presidenti qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e Presidentit, Zv/Presidentit të ri,

KREU I TRETË

Financat

Neni 35

Burimet e financimeve

  1. Urdhri ka buxhetin e vet, që e miraton dhe menaxhon Këshilli Kombëtar në përputhje me Ligjin “Për Urdhrin Profesinal të Mjekut Veterinar”, rregullave financiare në fuqi, dhe Rregulloren e brendshme për Veprimtarinë Financiare të Urdhrit, të miratuar nga Këshili Kombëtar;
  2. Burimet financiare të Urdhrit janë:
  1. kuotat e anëtarësisë, të detyrueshme për çdo anëtar, të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit;
  2. tarifat e tjera, të vendosura për aktet dhe dokumentet e lëshuara nga Urdhri, që përcaktohen me vendim të Këshillit Kombëtar;
  3. donacionet e ndryshme, vendase dhe të huaja, si dhe të ardhura të tjera të ligjshme;
  4. çdo e ardhur tjetër e ligjshme, e siguruar gjatë ushtrimit të aktivitetit të Urdhrit;
  5. Të ardhurat e realizuara gjatë ushtrimi i veprimtarisë, si dhe nga çdo aktivitet tjetër i ligjshëm do të përdoren nga Urdhri për të përmbushur misionin dhe funksionet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij.

Neni 36

Kuotat e Anëtarësimit

  1. Masa e kuotizacionit përcaktohet me vendim të Këshillit dhe është i detyrueshëm për çdo anëtar;
  2. Kur nuk shlyen kuotizacionet për një periudhë prej 6 muaj, pa arsye të justifikueshme, pezullohet anëtarësimi në UPMVSH dhe hiqet Liçensa për Ushtrim Profesioni.

Neni 37

Përdorimi i burimeve financiare

Burimet financiare të Urdhrit përdoren për:

  1. paga dhe honorare për punonjësit e administratës së Aparatit, anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe të angazhuarëve në grupe pune, komisione, ekspertiza, proçese disiplinore etj.
  2. shpërblime për vlerësim pune, ndihma në raste fatkeqësie për anëtarët e Urdhrit, si dhe për punonjësit
  3. Aparatit Ekzekutiv etj;
  4. organizim aktivitete e veprimtari kulturore-shkencore-profesionale e kualifikuese (konferenca, simpoziume, sesione, seminare, trajnime, etj.;
  5. botime me karakter shkencor dhe informativ e promovues për Urdhrin;
  6. investim dhe blerje mjete dhe pajisje pune;
  7. pjesëmarrje në aktivitete kombëtare, ndërkombetare, pritje e përcjellje delegacionesh të huaja;
  8. kontributin për sigurimet shoqërore e shëndetësore të punonjësve;
  9. detyrimet me shtetin dhe të tretëve, etj;
  10. shpenzimet operative si kancelari, transport, ndërlidhje, energji, dieta, dokumentime fotografike, audiokaseta dhe videokaseta e të tjera;
  11. ceremoni të ndryshme përkujtimore, promovuese, etj.

KREU I KATËRT

Dispozita përfundimtare

Neni 38

Emërtimi

Emrtimi është: “URDHRI PROFESIONAL I MJEKUT VETERINAR TË SHQIPËRISË”, shkurtimi është: UPMVSH

Neni 39

Stema dhe vula

Këshilli Kombëtar ka stemën dhe Vulën e Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë

Neni 40

Rezidenca

Rezidenca e Këshillit Kombëtar është në Tiranë.

Neni 41

Llogaria bankare

UPMVSH-ja mban llogari bankare në lekë dhe në valutë të huaj.

Neni 42

Organi periodik

UPMVSH-ja nxjerr Organin e tij periodik me karakter informues, profesional dhe shkencor me titull: REVISTA MJEKËSIA VETERINARE SHQIPTARE”.

Neni 43

Dispozita përfundimtare

Ndryshimet e mundëshme në këtë Statut bëhen me votim të hapur nga 2/3 e Antarëve të Këshillit Kombëtar ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *