URDHRI PROFESIONAL I MJEKUT VETERINAR TË SHQIPËRISË

URDHRI PROFESIONAL I MJEKUT VETERINAR TË SHQIPËRISË

Ligj Nr. 113/2015

PËR URDHËRIN PROFESIONAL TË MJEKUT VETERINAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e Urdhërit Profesional të Mjekut Veterinar, vendosjen e standardeve për ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar, si dhe marrëdhëniet juridike të personave që e ushtrojnë këtë profesion.

Neni 2

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për:

1. Mjekët veterinarë.

2. Farmacistët veterinarë.

3. Teknikët veterinarë.

4. Teknikët e ndërzimit.

KREU II

FUNKSIONIMI I URDHRIT PROFESIONAL TË MJEKUT VETERINAR

Neni 3

Misioni

Misioni i urdhrit është ruajtja e standardeve të larta në formimin, sjelljen profesionale dhe ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit e mirëqenies së kafshëve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Neni 4

Kompetencat e urdhrit Urdhri ushtron këto kompetenca:

a) jep, pezullon ose heq të drejtën për ushtrimin e profesionit për mjekët e farmacistët veterinarë, si dhe për teknikët veterinarë e teknikët e ndërzimit, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të statutit të Urdhrit;

b) mban dhe administron regjistrin e anëtarësisë për mjekun dhe farmacistin veterinar, si dhe regjistrin e veçantë të teknikëve veterinarë dhe teknikëve të ndërzimit;

c) vepron në mënyrë që të promovojë besimin e publikut ndaj këtij profesioni;

ç) kryen mbikëqyrje profesionale të aktiviteteve veterinare, sipas përcaktimeve të statutit të Urdhrit dhe rregulloreve të miratuara nga Këshilli Kombëtar;

d) mbikëqyr zbatimin e detyrave profesionale, në përputhje me kërkesat e shkencave veterinare dhe të legjislacionit veterinar;

dh) bashkëpunon me institucionet arsimore e shkencore për hartimin dhe planifikimin e programeve të formimit shkencor, të specializimit pasuniversitar dhe të kurseve të kualifikimit të vazhdueshëm të mjekut veterinar;

e) planifikon, monitoron dhe organizon trajnime profesionale për kandidatët për mjekë veterinarë dhe testime të aftësisë profesionale për këta kandidatë, në përputhje me ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara”, të ndryshuar;

ë) përcakton të gjitha procedurat që lidhen me regjistrimin në Urdhër;

f) përgatit dhe nxjerr publikime, broshura, formularë dhe dokumente të tjera të ngjashme;

g) paraqet te ministri përgjegjës për veterinarinë propozime ligjore e nënligjore, lidhur me aktivitete të tjera në fushën e veterinarisë;

gj) përgatit programe trajnimi në fushën e veterinarisë, këshillon dhe merr pjesë në programe trajnimi, sipas përcaktimit të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi;

h) mbikëqyr zbatimin e kushteve të vendosura nga Kodi i Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar;

i) përgatit dhe paraqet te ministri përgjegjës për veterinarinë, brenda 31 marsit të çdo viti pasardhës, një raport vjetor mbi ushtrimin e aktivitetit të tij, në përputhje me këtë ligj.

Neni 5

Kriteret për ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar

1. Për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit çdo kandidat duhet të plotësojë këto kritere:

a) të jetë diplomuar në mjekësi veterinare, me një titull apo kualifikim zyrtar, të njësuar me diplomën apo kualifikimin zyrtar, në fushën përkatëse, në Shqipëri;

b) të kalojë provimin shtetëror, sipas përcaktimeve të ligjit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë;

c) të jetë shtetas shqiptar ose shtetas i huaj, i cili ka të drejtë ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, për të punuar në Shqipëri;

ç) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, në momentin e kërkesës për anëtarësim;

d) të njohë dhe të zotohet me shkrim se do të zbatojë kërkesat e legjislacionit në fuqi për shërbimin veterinar, statutin e Urdhrit dhe Kodin e Etikës së Mjekut Veterinar;

2. Mjeku dhe farmacisti veterinar për të fituar të drejtën për ushtrimin e profesionit, duhet të jenë të diplomuar si mjekë veterinerë nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, çdo fakultet tjetër i mjekësisë veterinare, i themeluar dhe i njohur sipas ligjeve në fuqi, ose nga universitete të huaja, diploma e të cilëve u është nënshtruar procedurave të njohjes nga ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit në Republikën e Shqipërisë.

3. Teknikët veterinarë dhe teknikët e ndërzimit, për të fituar të drejtën për ushtrimin e profesionit, duhet të jenë diplomuar në arsimin parauniversitar në shkollat e mesme profesionale të njohura nga ministra përgjegjëse për arsimin profesional. Teknikët veterinarë dhe teknikët e ndërzimit nuk mund të jenë anëtarë të këtij Urdhri, por mund të regjistrohen në regjistër të veçantë dhe gjatë ushtrimit të profesionit janë të detyruar t’i nënshtrohen detyrimeve ligjore, statutit dhe Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar dhe akteve të tjera ligjore, të cilave u nënshtrohen mjekët dhe farmacistët veterinarë.

Neni 6

Mjekët veterinarë në pension

Mjekët veterinarë pensionistë që nuk ushtrojnë profesionin njihen si anëtarë të Urdhrit, pa qenë të detyruar të paguajnë kuotën e anëtarësisë. Kur ata punësohen ose vetëpunësohen, detyrohen të paguajnë kuotën e Urdhrit.

Neni 7

Përbërja e Urdhrit

1. Anëtarë të Urdhrit bëhen individët që:

a) janë diplomuar si mjekë veterinarë nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, çdo fakultet tjetër i mjekësisë veterinare, i themeluar dhe njohur sipas ligjeve në fuqi, ose nga universitete të huaja, diploma e të cilave u është nënshtruar procedurave të njohjes nga ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit në Republikën e Shqipërisë;

b) pranojnë Kodin e Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar dhe që e ushtrojnë këtë profesion në:

i) Shërbimin Veterinar Shtetëror;

ii) institucione, struktura dhe ente të tjera publike;

iii) shërbimin veterinar privat.

2. Përjashtohen nga ky detyrim, por jo nga e drejta e anëtarësimit në Urdhër, veterinerët funksionarë të administratës publike,për sa kohë që nuk ushtrojnë veprimtari të mirëfilltë profesionale veterinare.

3. Shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të mjekut veterinar në sektorin veterinar të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të anëtarësohen në Urdhër, të njohin dhe të zbatojnë Kodin e Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar, si dhe të gjitha aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë. 4. Të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të Urdhrit përcaktohen në statut.

Neni 8

Ndalime

1. Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e mjekut dhe farmacistit veterinar në Republikën e Shqipërisë dhe profesionin e teknikut veterinar dhe teknikut të ndërzimit, pa qenë përkatësisht anëtar i Urdhrit apo i regjistruar në Urdhër.

2. Punëdhënësve u ndalohet punësimi i individëve të paanëtarësuar apo të paregjistruar në Urdhër, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, për të ushtruar profesionin e veterinerit në:

a) Shërbimin Veterinar Shtetëror;

b) institucione, struktura dhe ente të tjera publike;

c) shërbimin veterinar privat.

Neni 9

Ndërprerja e anëtarësimit

1. Anëtarit të Urdhrit i ndërpritet anëtarësia në këto raste:

a) kur vdes;

b) kur i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit me vendim disiplinor të formës së prerë nga organet e Urdhrit apo të gjykatës;

c) kur është duke vuajtur dënimin penal me heqje lirie;

ç) kur nuk shlyen kuotizacionet, në përputhje me afatet e vendosura nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit, dhe i kalon ato mbi 1 vit pa arsye të justifikueshme.

2. Vendimi për ndërprerje të anëtarësisë i komunikohet zyrtarisht personit dhe institucionit ku ka shërbyer i ndëshkuari.

Neni 10

Marrëdhëniet ndërinstitucionale

1. Urdhri, gjatë përmbushjes së funksioneve të tij, bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për veterinarinë, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, me institucione, organizma dhe ente të tjera publike ose jopublike, në nivel qendror dhe vendor.

2. Për përmbushjen e kompetencave dhe funksioneve të tij, Urdhri ka të drejtë të lidhë kontrata dhe marrëveshje me subjekte të tjera, entitete publike apo private, si dhe me organizma homologë ndërkombëtarë, sipas rastit, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm në Shqipëri.

KREU III

STRUKTURA ORGANIZATIVE

Neni 11

Statusi Urdhri është ent publik jobuxhetor, profesional, i pavarur, i cili përbëhet nga individë të cilët ushtrojnë profesionin veterinar në Republikën e Shqipërisë dhe mbron interesat e tyre.

Neni 12

Organet e Urdhrit

1. Urdhri është organizimi në nivel kombëtar i mjekëve veterinarë, që përfaqëson interesat e përbashkët të veterinerëve dhe rregullon marrë- hëniet ndërmjet tyre, në funksion të interesit publik. 2. Organet e Urdhrit janë:

a) Asambleja e Përgjithshme;

b) Këshilli Kombëtar;

c) Komisioni Disiplinor;

ç) komisione të tjera, sipas këtij ligji.

Neni 13

Asambleja e Përgjithshme

1. Të gjithë anëtarët e Urdhrit janë pjesë e Asamblesë së Përgjithshme.

2. Kompetencat e Asamblesë së Përgjithshme janë përcaktuar në statutin e Urdhrit.

3. Asambleja e Përgjithshme mblidhet çdo vit, brenda datës 31 mars, sipas statutit, ku dorëzohet një raport i aktiviteteve të saj, të kryera përgjatë vitit, së bashku me një raport financiar, si dhe paraqet buxhetin për vitin pasardhës.

Neni 14

Këshilli Kombëtar

1. Këshilli Kombëtar përbëhet nga 21 anëtarë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme dhe nga 4 anëtarë të tjerë si më poshtë:

a) drejtuesi i shërbimit veterinar shtetëror (CVO);

b) një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë;

c) një përfaqësues i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor;

ç) drejtuesi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

2. Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar bëhen çdo tre vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë për një mandat të dytë.

3. Procedura e zgjedhjes dhe shkarkimit të Presidentit, Zëvendëspresidentit dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar parashikohet në statutin e Urdhrit.

4. President dhe Zëvendëspresident zgjidhet një prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar me mandat trevjeçar, me të drejtën e rizgjedhjes vetëm një herë. Funksioni i tyre është i papajtueshëm me funksione të tjera drejtuese, ekzekutuese apo menaxhuese të administratës shtetërore.

5. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, çdo ministër apo drejtues, sipas përcaktimit në pikën 1, të këtij neni, cakton përfaqësuesit përkatës dhe dërgon listën me emrat e tyre tek ministri përgjegjës për veterinarinë.

6. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar përcaktohen në statutin e Urdhrit.

Neni 15

Kompetencat e Këshillit Kombëtar Këshilli Kombëtar, në përputhje me misionin e Urdhrit dhe përcaktimet në këtë ligj, ushtron këto kompetenca:

a) përcakton dhe miraton strukturën organizative;

b) cakton kuotizacionin dhe tarifat, që i miraton me vendim;

c) menaxhon pasurinë/pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Urdhrit, në nivel kombëtar;

ç) mbikëqyr dhe koordinon të gjitha veprimtaritë dhe aktivitetet e organeve apo strukturave që varen apo janë pjesë përbërëse e Urdhrit;

d) harton dhe miraton Kodin e Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar, pasi ka kryer konsultimet me strukturat e tjera organizative të Urdhrit, jo më vonë se12 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

dh) harton dhe miraton statutin e Urdhrit, pasi ka kryer konsultimet me strukturat e tjera organizative të Urdhrit, jo më vonë se 3 muaj nga zgjedhja e tij;

e) miraton rregulloren për Komisionin Disiplinor brenda 3 muajve nga zgjedhja e tij;

ë) harton dhe miraton rregulloret përkatëse për komisionet e tjera.

Neni 16

Komisionet e tjera

1. Këshilli Kombëtar, bazuar në kompetencat e tij, krijon komisione të tjera të përkohshme apo të përhershme për:

a) përditësimin e regjistrave të urdhrit;

b) standardet, arsimimin dhe kualifikimin;

c) marrëdhëniet me jashtë dhe me publikun;

ç) planifikimin dhe kontrollin financiar dhe ekonomik;

d) botimin e periodikëve apo publikime të ngjashme.

2. Aktiviteti i këtyre komision bazohet në rregulloret përkatëse të miratuara nga Këshilli Kombëtar.

Neni 17

Komisioni Disiplinor

1. Këshilli Kombëtar ngre një Komision Disiplinor për verifikimin dhe shqyrtimin e ankesave, në lidhje me shkeljet e Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar dhe shkeljet e tjera të kryera nga anëtarët e urdhrit.

2. Përbërja dhe procedura për zgjedhjen e Komisionit Disiplinor përcaktohen në statutin e Urdhrit.

3. Organizimi dhe funksionimi i Komisionit Disiplinor, si dhe komp e tij përcaktohen në statut.

KREU IV

MASAT DISIPLINORE DHE ANKIMI

Neni 18

Masat disiplinore

1. Komisioni disiplinor heton dhe gjykon në bazë të fakteve e provave të administruara dhe seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar,ai jep këto masa:

a) vërejtje me shkrim;

b) vërejtje me paralajmërim;

c) gjobë nga 5000 (pesë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, sipas një rregulloreje të posaçme lidhur me kushtet, procedurat e vendosjes së gjobave dhe masën konkrete për çdo shkelje, të miratuar nga Këshilli Kombëtar;

ç) heqje të së drejtës për t’u rizgjedhur në organet e Urdhrit, sipas këtij ligji, për periudhë deri 3 vjet;

d) përjashtim nga Urdhri për një periudhë deri në 3 vjet.

2. Masa disiplinore e parashikuar në shkronjën “d”, të pikës 1, të këtij neni, sjell çregjistrimin nga regjistri i anëtarësisë.

3. Kur vërtetohet se tekniku veterinar dhe/ose tekniku i ndërzimit ka kryer shkelje të Kodit të Etikës Profesionale të Mjekut Veterinar, Komisioni Disiplinor jep këto masa:

a) vërejtje me shkrim;

b) vërejtje me paralajmërim;

c) gjobë nga 5000 (pesë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

ç) heqje të së drejtës të ushtrimit të profesionit për një periudhë deri në 3 vjet.

4. Komisioni ka të drejte t’u caktojë kundërvajtësve, si masë plotësuese, kryerjen e një rikualifikimi në institucionet publike, sipas tarifave të përcaktuara.

5. Masat e mësipërme disiplinore vlerësohen të shlyera me kalimin e afatit kohor të përcaktuar në statutin e Urdhrit.

6. Komisioni Disiplinor kryen procedurat e përcaktuara në statut, mbështetur në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë, si dhe në akte të tjera nënligjore.

7. Gjobat e vjela sipas shkronjës “c”, të pikës 1, dhe shkronjës “c”, të pikës 3, të këtij neni, derdhen njëqind për qind në Buxhetin e Shtetit.

Neni 19

Ankimi

Për masat disiplinore ndaj tij, çdo person ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative te Komisioni Disiplinor dhe pastaj në rrugë gjyqësore, sipas legjislacionit në fuqi.

KREU V

BURIMET DHE MENAXHIMI I FINANCIMEVE

Neni 20

Burimet e financimeve

1. Urdhri ka buxhetin e vet, të cilin e administron në përputhje me legjislacionin financiar në fuqi.

2. Burimet financiare të Urdhrit janë:

a) kuotat e anëtarësisë, të detyrueshme për çdo anëtar, të cilat përcak me vendim të Kësh Kombëtar;

b) tarifat e tjera, të vendosura për aktet dhe dokumentet e lëshuara nga Urdhri, që përcaktohen me vendim të Këshillit Kombëtar;

c) donacionet e ndryshme, vendase e të huaja, dhe të ardhura të tjera të ligjshme;

ç) çdo e ardhur tjetër e ligjshme, e siguruar gjatë ushtrimit të aktivitetit të Urdhrit.

3. Të ardhurat e realizuara nga ushtrimi i veprimtarisë së vet, si dhe nga çdo aktivitet tjetër i ligjshëm do të përdoren nga Urdhri për të përmbushur misionin dhe funksionet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

KREU VI

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 21

Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministra të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 23, pika 2, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 22, pika 1, të këtij ligji.

Neni 22

Komisioni i përkohshëm për organizimin e zgjedhjeve të para

1. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministri përgjegjës për veterinarinë ngre një komision të përkohshëm, i cili duhet të organizojë mbledhjen e parë të Asamblesë dhe zgjedhjen e Këshillit të parë Kombëtar, bazuar në urdhrin e ministrit përgjegjës për veterinarinë.

2. Këto zgjedhje duhet të bëhen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

3. Me zgjedhjen e Këshillit kombëtar, komisioni i përkohshëm shkrihet.

Neni 23

Financimi

1. Urdhri financohet nga Buxheti i Shtetit për një periudhë njëvjeçare.

2. Procedura dhe mënyra e këtij financimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 24

Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 15.10.2015

Shpallur me dekretin nr. 9289, datë 23.10.2015 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bujar Nishani